Ese

“Anton M.Xanoni dhe gramatika Shqyp” Shënime pas një shekulli ...

Nga Flora Gjondedaj Dervishi

Përkushtim:   Këto shënime modeste  për klerikun e ditur durrsak,  Anton  Xanoni, ia kushtoj gjeneratës time, që studiuan me pasion  shkencat filologjike, por  patën  mundësi të kufizuara...

Anton Xanoni, figurë me kontribute të ndjeshme në kulturën shqiptare. Ai honorifikisht është jo vetëm Nderi i bibliografisë “Pena në Durrës”(2008),por edhe i fondit libror me kohëzgjatje për më se një shekull. Personaliteti  i Xanonit,  radhitet denjësisht në  plejadën e Rilindësve të Mëvetësisë, dhe ndër kontribuuesit e  parë të pedagogjisë dhe letrave shqipe. I lënë diku në sarkofagun e harresës, prej afro një shekulli , ai rivjen i përveçëm edhe me këto shënime modeste sot,  përpara lexuesit të dy gjeneratave... Anton M. Xanoni u lind në qytetin  e Durrësit më 1862. Ai nuk  ishte thjesht klerik,por mësues dhe shkrimtar. Përveç kontributit  në hartimin e teksteve për shkollat e para të shqipes, Xanoni ka edhe krijimtari letrare të mirëfilltë. Korpusi i veprës së tij të botuar, arrin në  15 tituj. E ndër to, dy   romanza: “Gjenovefa”, “Julia”  dhe dy drama “Llogoret e mullinjve” dhe “Skënderbeu”. Drama “Skënderbeu”  u botua në Shkodër më 1917 , por për fat të keq, autori  u nda nga jeta në moshën 53- vjeçare  (viti 1915), kështu që,  nuk e  gëzoi botimin e dramës së tij që daton dy  vjet pas vdekjes. Biblioteka Publike  e Durrësit posedon  vetëm tri nga veprat e Xanonit .E pikërisht këtu po konvergon edhe ndalesa ime :

“Gramatika  Shqyp”  (tekst shkollor ), botim i   vitit 1909; “Jeta e Sh’ Françesk Saverit” (biografi),                   botimi i vitit 1916,  “Prisi në lamë të Letratyrës” (Tekst pedagogjik)  botim  i vitit 1920;  “Gramatika shqyp”, një libër 103-vjeçar... “Gramatika Shqyp”e Anton Xanonit , është njëri  nga dokumentet  më të rëndësishëm  të historisë së gjuhësisë  shqiptare. Ky libër është botuar një shekull më parë, më 1909, në Shkodër. Gramatika i përmbahet alfabetit të ri  dhe është ndër gramatikat e para të gjuhës shqipe , pas gramatikës së Sami Frashërit . I  shtypur enkas për seminarin dhe mësonjëtoren e Shën Saverit në shtypshkronjën “Zoja e Papërlyeme”, Shkodër. Libri daton fill pas Kongresit të Manastirit 1908.(Kongresi I Alfabetit Shqip).Gramatika e  Xanonit është shkruar në dialektin gegërisht. Teksti fillon me Fonetikën, duke trajtuar:  zanoret, shqiptimin, rrokjet, theksat, fjalët e bashkëngjitura e tjerë.

 E veçanta -   Ndermiet hiedhat e Xanonit …

Autori në vijim ndalet në mënyrë të hollësishme në Morfologji. Pjesët e gramatikës në ligjëratë , ku trajton: emrin, rasat (autori konsideron dhe rasën vendore), gjininë, nyjen , mbiemrin, shkallët, numërorin , përemrat, foljen, ndajfoljen, lidhëzat dhe pjesëzat. Libri ka 172 faqe plus përmbajtjen ose perkreicin. Në fakt, përmbajtja, pra fjala Fundi, vjen pas kreut të IX, (fq.166)me ndermiet hiedha, siç i quan gegërisht Xanoni,  Pasthirmat, (sipas S. Frashërit, K. Kristoforidhit, A.Xhuvanit.)   Xanoni respekton parimin didaktik të një aparati mirëfilli pedagogjik, ndonëse thërret në ndihmë edhe latinizmat, të cilat i sqaron po aq shkoqur.(Kuer pernjimend çohen prej fundit t’zemrës  s’prekun prei gazmendit , dhimtes, tutes, a çdo t’ dindunit tjetër, kan’ hije t’madhe fort....(ndermiet hiedhat.)

Një libër teorik dhe  pedagogjik për shkencën e letërsisë …

Libri “Prisi në lamë të letratyrës”, është po për shkollë të seminarit e të Msojtores Sh. Françesk Saverit në Shkodër. Në rreth në 102 faqe, autori ngërthen në mënyrë konkrete parimet bazë të shkencës dhe letërsisë. Ai bën të kuptueshme këndvështrimin e artit të letrave në rrafshin  estetik dhe edukativ dhe ndalet më pas  imtësisht, tek figuracioni letrar, stilistika , metrika e tjerë.

Biografia e Shën Françesk Saverit

Libri biografik, “Jeta e Shën Françesk Saverit”, apo Apostulli i Hindit, nis me lindjen e këtij Shenjti në 7 prill 1506, në kështjellën e Saverit, rrëzë Pirenejve. Vijon me shkollimin në Paris për Filozofi, me udhëtimet prej misionari, në lindjen e largme, Japoni e Malajzi. Dhe  mbyllet me mrekullitë e tij, forcëvepruese edhe dy shekuj më pas si:  Ngjallja e 34 të vdekurve, 11 prej të cilëve fëmijë  etj etj... Mënyra shprehëse që dëshmon për kulturë të teknikave letrare, fryma lirike,  realizmi semplist  dhe faktet e shumta e shpien këtë biografi në  kufijtë e një gjinie romaneske.  

Megjithatë, listimi i veprave të Xanonit ,  bën prezantimin  edhe për gjininë,  që ai lëvroi dhe i  jep mundësi informacioni  të interesuarve:

 1. Tremdhjet t’martet e Sh’na Ndout

2.  Dheshkroja e Shqypniis

3. Shkurtoja e historiis( bleni i I)

4.“_”_”_”_”_”_”_”_”_ ( bleni iII)

5. Muzhiktari i verbtë

6. Priisi  n’ lamë t’letratyrës

7. Gramatika Shqyp

8. Dotrina e madhe

9. Gjenovefa                                      ( rromanz )

10. Julia                                              (rromanz )

11. Llagoret e mullinjve                       (dramë)

12. Këndime për shkollë t’ para t’shqypes.

13. Unjilli i Jezu Krishtit mas Sh’ M

14. Jeta e SH’Françesk Saverit               (Biografi )

15. Skënderbeu                                         (dramë )

Anton  Xanoni këtë vit shënon  150 vjetorin e lindjes, (1862-  1915), ndërsa Gramatika Shqyp hyri në  103 vjetorin e botimit, pra e ka kapërcyer shekullin.

 

 

 

 

 

Informacion dhe Kontakt


Adresa: , Durres

Diskutime