Reportazh
Leon Tolstoi

Tolstoi dhe gruaja e tij, historia e një dashurie

  

Një nga autorët më të lexuar, më të studiuar, më të vlerësuar dhe kritikuar vjen në një këndvështrim ndryshe. Një libër dedikuar jo veprës së madhe që ai trashëgoi, por vetë figurës së Tostoit nëpërmjet marrëdhënieve të tij familjare

  

Te libri që po ju ofroj, përpiqem t’i afrohem Tolstoit jo si një shenjtori. Për mua ai është një njeri (vërtet gjenial), për të cilin asgjë njerëzore nuk është e huaj. Kundërshtimin e ideve të tij ia kam lënë atij vetë. Alternimi i fazave të zhvillimit shpirtëror të Tolstoit gërshetohet (si për të gjithë njerëzit) me rrethanat e jetës së tij intime. Ja përse si sfond të rrëfimit tim zgjodha historinë e marrëdhënieve familjare të Tolstoit.

Aq më tepër që kjo temë (në mënyrë të pavarur dhe me të gjithë plotësinë e mundshme) është studiuar ende pak.

Për studimin tim kam pasur mundësinë të shfrytëzoj jo vetëm burimet e botuara, por edhe t’u hidhja një sy ditarëve të pabotuar të Tolstoit, si dhe kujtimeve në dorëshkrim për të.

 

Tihon Polner

 

Letra e Tolstoit drejtuar Sofia Andrejevnës

 

“... Tolstoi, që nuk vendosi dot të fliste, ia dha letrën Sofisë. Dhe i tha se përgjigjen do ta priste lart, në dhomën e zonjës së shtëpisë.

Sofia Andrejevna e trembur, si një “zog i plagosur”, vrapoi për në dhomën e saj dhe e mbylli derën me çelës.

Ajo lexoi:

“Sofia Andrejevna! Nuk duroj dot më! Ka tri javë që i them çdo ditë vetes: sot do t’ia them të gjitha dhe do të largohem sërish me po atë pendim, frikë dhe lumturi në shpirt. Çdo natë, si sonte, sjell nëpër mendje të shkuarën, vuaj dhe them: përse nuk ia thashë, si dhe çfarë t’i thosha. E marr këtë letër me vete, për t’jua thënë, nëse sërish nuk do të guxoj t’i shpreh me gojë të gjitha. Mendimi i gabuar i familjes suaj për mua është, me sa duket, që unë dua motrën tuaj, Lizën. Kjo është e padrejtë. Tregimi juaj më ka mbetur në mendje, sepse, pasi e lexova, u binda që mua, Dublickit, nuk më takon të ëndërroj për lumturi... që kërkesat tuaja të shkëlqyera poetike të dashurisë... që nuk kam dhe nuk do të kemi xhelozi ndaj atij, që do të doni ju. Më dukej se mund të gëzohesha me ju, si me fëmijët. Në Ivica shkrova: Prania juaj më kujton pleqërinë time dhe pamundësinë për të qenë i lumtur dhe pikërisht ju...

Por edhe atëherë, edhe më vonë gënjeja veten. Që atëherë mund t’i kisha shkëputur të gjitha fijet dhe përsëri do të shkoja në manastirin e punës së vetmitarit dhe të përfshihesha nga të shkruarit. Tani nuk bëj dot gjë, por e ndiej që i kam bërë lëmsh gjërat në familjen tuaj. Që marrëdhëniet e thjeshta, të shtrenjta me ju si mik, si njeri i ndershëm, i kam humbur. Tani as nuk largohem, as nuk qëndroj dot. Ju jeni njeri i ndershëm, prandaj me dorë në zemër, pa u nxituar, për hir të Zotit pa u nxituar, më thoni: ç’duhet të bëj, kush qesh me të tjerët, do të përqeshet dikur. Do të kisha vdekur së qeshuri sikur para një muaji të më thoshin që mund të torturohesh, siç dhe lumturisht po torturohem këto kohë. Më thoni, si njeri i ndershëm, a dëshironi të bëheni gruaja ime? Por vetëm me gjithë shpirt mund të më thoni me guxim “Po”, ndryshe më thoni më mirë “jo”, nëse keni hije dyshimi në vetvete. Për hir të Zotit, pyeteni mirë veten. Do të ishte e tmerrshme për mua të dëgjoja një “jo”, por unë e parashikoj dhe do të di të duroj. Ama, po nuk u bëra kurrë burri juaj, po nuk më deshët si ju dua unë, kjo do të ishte e tmerrshme.”

 

Leon Tolstoi

 

Leon Tolstoi lindi më 9 gusht 1828 në provincën Jasnaja Poljana pranë Tulës, nga një familje e vjetër fisnikësh. Sa pat mbushur dy vjeç i vdiq nëna. Për edukatën e tij u kujdes tezja, e cila ishte grua e mësuar. Edhe vëllai i madh, Nikollai tip ëndërrimtari, ndikoi mbi edukatën e Leonit. Në shtëpi për edukatën e fëmijëve kishte mësues e kujdestarë të huaj. Veprat e Rusoit e patën magjepsur shumë Leonin, por mbi ndërgjegjen e Leonit gjurmë ta pashlyeshme la sidomos ambienti i Jasnaja Poljanës, jeta e shëndoshë fshatare dhe natyra e bukur ruse.

Më 1844 Tolstoi hyri në universitetin e Kazanit dhe nisi të bënte jetën e çrregullt të studentëve aristokratë duke u dhënë pas ballove e dëfrimeve. Por kjo jetë e zbrazët e lodhi; nuk e kënaqën as studimet prandaj i la mësimet përgjysmë dhe u kthye në provincën e tij me vendim të prerë që të përmirësonte gjendjen fshatare.

Më 1862 u martua. Jeta e lumtur familjare e qetësoi përkohësisht shpirtin e tij. Shkroi vepra të ndryshme letrare, nga të cilat shquajnë romanet “Lufta dhe paqja” (1864-1869) dhe “Ana Karenina” (1873-1877), por u mor edhe me aktivitet pedagogjik e me bujqësi.

Gjatë viteve 1881-1901 Tolstoi jetoi në Moskë ku mësonin fëmijët e tij. I kësaj kohe është romani i tij “Ringjallja” (1899). Po nuk harroi Jasnaja Poljanën e kurdoherë mori pjesë në iniciativat mirëbërëse në favor të të mjerëve. Më 1901 u kthye sërish në këtë fshat të dashur ku bënte një jetë sa më të thjeshtë. Më 1908 mbarë bota kulturale nderoi tetëdhjetëvjetorin e tij. Pas kësaj nuk jetoi më gjatë. Ai vuante moralisht sepse në jetën e tij personale nuk kushte realizuar gjer në fund filozofinë e tij. Më 28 tetor 1910 fshehurazi u largua nga familja e tij, nga Jasnaja Poljana, me qëllim që të vendosej në jug pranë disa fshatarëve të njohur për të jetuar njësoj si ata. Vetëm në këtë mënyrë shpresonte të plotësonte idealin e tij. Por rrugës u ftoh dhe vdiq më 7 nëntor 1910 në stacionin hekurudhor “Astapova” (sot “Leon Tolstoi”). Sipas dëshirës së tij, u varros në Jasnaja Poljana. U varros pa ceremoni, pasi konsiderohej i shkishëruar dhe nuk mund ta varrosnin në varrezat e kishës.

 

Informacion dhe Kontakt
29/06/2012 -

“Tolstoi dhe gruaja e tij, historia e një dashurie”
Autori: Tihon Polner
Përkthyes: Sokrat Gjerasi
Shtëpia Botuese: Onufri
Numri i faqeve: 272

Çmimi: 900 lekë

Adresa: , Tirane

Diskutime